Nga Albert Vataj
Shuhet
kandili dritëlëshues i realizmit magjik. Gabo nuk është më. Më 17 prill ai ka
numëruar grahmat e fundit të jetës. Gjëmimet e një zemre të lodhur kanë gufuar
në kraharorin e tij të lëveshkur dhe prushin e thinjave në gjoksin që nuk hovet
më. Ai vendos të tregojë me nota pathosi dhe nëpërmjet një mbamendje të zëshme,
se di të kridhet në krahët e vdekjes, jo
vetëm nëpërmjet rrëfimtarisë dhe bashkëjetimit trandës. Në çdo ndjenjë, ai
troket nëpërmjet një dhimbjeje. Prej sysh që u skuqën në përjetime që sendërtoi,
ai zbret me lot. Vdekjen e tij letrare e zë ajo e kujës nën vig. Ikjes pak
kthim prej ligjërimeve dhe këndimesh plot kand dhe nerv, ai i jepet me mish e
me shpirt. Kërkon leje të marrë atë rrugë që e hoqi në letra dhe tregimtari sa
e sa herë. Nuk priti përgjigje, por vetë e vendosi, sepse në të sosur i kishte
ditët, në të shuar e kish flakadanin, në të ndalur e kish vërshimin. Ndali siç
stepet para kureshtisë dhe hutimit tonë, një vegim drite që shkreptin në
qiellin e gërmushur prej resh dhe zemërate qiellore.
Lajmi i ndarjes
Ndahet nga
jeta shkrimtari Gabriel Garsia Markez. Pas një kaplimi prej më shumë se dy
vitesh nga Alzheimer, shkrimtari i madh kolumbian, Gabriel Garsia Markez ka
ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare në shtëpinë e tij në Mexico City. Burime të
afërta familjare kanë konfirmuar lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të një
prej personaliteteve më të rëndësishme të letërsisë së realizmit magjik. Novelisti
i pashoq, tregimtari sqim, romancieri ngashëryes, skenaristi ngulmëtar dhe
gazetari i përkushtuar, laurati i Nobelit në letërsi, është ndarë përgjithnjë
nga të gjallët e tij. Letërsia kolumbiane, realizmi magjik i Amerikës Latine
dhe kolana e korifejve të letërsisë botërore kanë humbur të gjallët e një prej
emrave më të spikatur, një prej penave më të mprehta, një prej ngulmeve më të
zëshme të saj. Kjo ndarje nuk është e njëllojtë me të tjerat, ani pse ai ka
kohë që si tekstshkrues është larguar për të mos u kthyer më, si rezultat i një
nënshtrimi prej lëngimit që mosha, vitet dhe hekat e vunë përfundi, duke mos e
lënë të ngrihet më, duke mos e lënë të çojë deri në fund ndonjë nga ngasjet e
tij letrare..
Jeta e mbretit magjik
Gabriel
García Márquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i
njohur kolumbian erdhi në jetë më 6 mars 1927 në Aracataca, një fshat i vogël
pranë maleve të Karaibeve kolumbiane. Tetë vjetët e para të jetës së Markezit
kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina
Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në
shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku
u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e
gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe, protagonist
absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe
më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë. Në vitin 1935, humbi gjyshin dhe
kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12-vjeçarit Markez, i cili
një vit më pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më
1942, u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Në moshën 20-vjeçare,
fitoi të drejtën e studimit në Universitétin e Bogotás, dega drejtësi. I
mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i
krahinës së Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e
autorëve më të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia,
filloi të shkruante duke braktisur studimet. Megjithë pasionin e madh për
librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte
një periudhë, ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Më 9 prill 1948, filloi e
famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që
përfundoi me vdekjen e drejtuesit libéral Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre
ditëve të përgjakshme, disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën
gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë, ku gjeti punë si redaktor e
më pas, si reporter për gazetën "El Universal".
Në 1949,
vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u
bashkua me "El Gruppo de Barranquilla", që përbëhej nga të rinj që
kishin pasion letërsinë. Një vit më pas, publikoi në faqet e gazetës "El
Espectador" të Santa Fésë një tregim me titull "La tercera
resignación". Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë,
“Gjethurinat”, dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh
në përgjigjen që i erdhi, shkruhej që mund të merrej me çdo gjë, përveçse me
letërsi. Më 1955, fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin
“Dita pas së shtunës’. Falë dhuntive të tij narrative, Gabriel Garsia Markez në
një hark kohor mjaft të shkurtër, u bë një nga emrat më të rëndësishëm të
gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të
mirëpritura në çdo redaksi.
Në nëntor
1956, drejtori i gazetës "El Espectador", për të cilën punonte
Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin.
Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në
Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit
që ndodhi një vit më pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër.
Në
Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo dhe
Gonzalo. Më 1961, u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i
“Prensa Latina”. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanezëve e
shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967, realizoi kryeveprën e krijimtarisë
së tij "Njëqind vjet vetmi”, një libër që shënon kulmin e realizmit
magjik. Më 1974 dolën në treg “Vjeshta e patriarkut”, një metaforë e gjerë mbi
vetminë, mjerimin, si pasojë e pasurimit. Nga viti 1975, Gabriel Garsia Markez
jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me
çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002, publikoi vëllimin e parë të “Të jetosh për
të treguar”, ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, “Kujtim kurvash të
trishta”. Ndër veprat e tij më të mëdha përmenden “Dashuri në kohërat e
kolerës”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” dhe "Njëqind vjet
vetmi", të cilat erdhën në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Ramiz
Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi.
Në
krijimtarinë e Markezit janë shkrirë, kanë marrë trupëzim sentimentesh dhe
rrëfimtarie, mitologjia dhe bestytnitë, janë jetësuar dhe qarkullojnë në gjakun
e kumtit, ngarthimet e befta të gjallimit të traditës së Amerikës Latine, duke
e bërë atë një nga përfaqësuesit kryesor të realizmit magjik. Vetmia dhe
pasioni njerëzor janë kolona vertebrale e kësaj kërshërie larushitëse
rrëfimtarie dhe mëtimi. Tash ne ndahemi së gjalli me këtë kolos magjik, por
vepra dhe kumti i tij krijues do të vërshojnë në kandën e gjeneratave. Gabriel
Garsia Markez nuk është më. Mirënjohje të përunjëta dhe ngashërim në këtë cak
të ndarjes këso jete. Lamtumirë Gabo!