Friday, April 18, 2014

Lamtumira e trishtë e magjikut të letrave, Gabriel Garsia Markez

Nga Albert Vataj

Shuhet kandili dritëlëshues i realizmit magjik. Gabo nuk është më. Më 17 prill ai ka numëruar grahmat e fundit të jetës. Gjëmimet e një zemre të lodhur kanë gufuar në kraharorin e tij të lëveshkur dhe prushin e thinjave në gjoksin që nuk hovet më. Ai vendos të tregojë me nota pathosi dhe nëpërmjet një mbamendje të zëshme, se di të kridhet në krahët e  vdekjes, jo vetëm nëpërmjet rrëfimtarisë dhe bashkëjetimit trandës. Në çdo ndjenjë, ai troket nëpërmjet një dhimbjeje. Prej sysh që u skuqën në përjetime që sendërtoi, ai zbret me lot. Vdekjen e tij letrare e zë ajo e kujës nën vig. Ikjes pak kthim prej ligjërimeve dhe këndimesh plot kand dhe nerv, ai i jepet me mish e me shpirt. Kërkon leje të marrë atë rrugë që e hoqi në letra dhe tregimtari sa e sa herë. Nuk priti përgjigje, por vetë e vendosi, sepse në të sosur i kishte ditët, në të shuar e kish flakadanin, në të ndalur e kish vërshimin. Ndali siç stepet para kureshtisë dhe hutimit tonë, një vegim drite që shkreptin në qiellin e gërmushur prej resh dhe zemërate qiellore.
Lajmi i ndarjes
Ndahet nga jeta shkrimtari Gabriel Garsia Markez. Pas një kaplimi prej më shumë se dy vitesh nga Alzheimer, shkrimtari i madh kolumbian, Gabriel Garsia Markez ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare në shtëpinë e tij në Mexico City. Burime të afërta familjare kanë konfirmuar lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të një prej personaliteteve më të rëndësishme të letërsisë së realizmit magjik. Novelisti i pashoq, tregimtari sqim, romancieri ngashëryes, skenaristi ngulmëtar dhe gazetari i përkushtuar, laurati i Nobelit në letërsi, është ndarë përgjithnjë nga të gjallët e tij. Letërsia kolumbiane, realizmi magjik i Amerikës Latine dhe kolana e korifejve të letërsisë botërore kanë humbur të gjallët e një prej emrave më të spikatur, një prej penave më të mprehta, një prej ngulmeve më të zëshme të saj. Kjo ndarje nuk është e njëllojtë me të tjerat, ani pse ai ka kohë që si tekstshkrues është larguar për të mos u kthyer më, si rezultat i një nënshtrimi prej lëngimit që mosha, vitet dhe hekat e vunë përfundi, duke mos e lënë të ngrihet më, duke mos e lënë të çojë deri në fund ndonjë nga ngasjet e tij letrare..
Jeta e mbretit magjik
Gabriel García Márquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian erdhi në jetë më 6 mars 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane. Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë. Në vitin 1935, humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12-vjeçarit Markez, i cili një vit më pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942, u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Në moshën 20-vjeçare, fitoi të drejtën e studimit në Universitétin e Bogotás, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës së Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve më të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet. Megjithë pasionin e madh për librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë, ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Më 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit libéral Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme, disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë, ku gjeti punë si redaktor e më pas, si reporter për gazetën "El Universal".
Në 1949, vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me "El Gruppo de Barranquilla", që përbëhej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas, publikoi në faqet e gazetës "El Espectador" të Santa Fésë një tregim me titull "La tercera resignación". Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “Gjethurinat”, dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi, shkruhej që mund të merrej me çdo gjë, përveçse me letërsi. Më 1955, fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Dita pas së shtunës’. Falë dhuntive të tij narrative, Gabriel Garsia Markez në një hark kohor mjaft të shkurtër, u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi.
Në nëntor 1956, drejtori i gazetës "El Espectador", për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit më pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër.
Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo dhe Gonzalo. Më 1961, u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i “Prensa Latina”. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanezëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967, realizoi kryeveprën e krijimtarisë së tij "Njëqind vjet vetmi”, një libër që shënon kulmin e realizmit magjik. Më 1974 dolën në treg “Vjeshta e patriarkut”, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin, si pasojë e pasurimit. Nga viti 1975, Gabriel Garsia Markez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002, publikoi vëllimin e parë të “Të jetosh për të treguar”, ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, “Kujtim kurvash të trishta”. Ndër veprat e tij më të mëdha përmenden “Dashuri në kohërat e kolerës”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” dhe "Njëqind vjet vetmi", të cilat erdhën në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi.

Në krijimtarinë e Markezit janë shkrirë, kanë marrë trupëzim sentimentesh dhe rrëfimtarie, mitologjia dhe bestytnitë, janë jetësuar dhe qarkullojnë në gjakun e kumtit, ngarthimet e befta të gjallimit të traditës së Amerikës Latine, duke e bërë atë një nga përfaqësuesit kryesor të realizmit magjik. Vetmia dhe pasioni njerëzor janë kolona vertebrale e kësaj kërshërie larushitëse rrëfimtarie dhe mëtimi. Tash ne ndahemi së gjalli me këtë kolos magjik, por vepra dhe kumti i tij krijues do të vërshojnë në kandën e gjeneratave. Gabriel Garsia Markez nuk është më. Mirënjohje të përunjëta dhe ngashërim në këtë cak të ndarjes këso jete. Lamtumirë Gabo!

Thursday, April 10, 2014

Një roman për jetën e Frederik Rreshpjes

Frederik Rreshpja

Pas librit “Shitësi i Apokalipsit”, shkrimtari Gazmend Krasniqi vjen për lexuesin me një tjetër roman, botim i shtëpisë botuese “Saras”. “Fytyra e Simurgut”, një roman i cili e çon në një tjetër dimension prozën e Krasniqit, me një formë e mendim ndryshe nga skemat që jemi mësuar të shohim në romanin shqip. Për të shkruar këtë rrëfim ai është frymëzuar nga jeta e poetit të njohur Frederik Rreshpja. Në libër ai quhet Marin Baina dhe bën një tjetër udhëtim, në jetën që la mëngjesin e 18 shkurtit 2006, kur mbylli sytë përgjithmonë. Më poshtë Krasniqi vjen në një rrëfim për këtë libër….
Udhëtimi i një shkrimtari drejt Vjenës, në fakt, kthehet në një hulumtim mbi një prej personazheve që e kishte grishur me jetën prej poeti… Ishte kjo ideja e romanit?
Ideja? Le ta marrim nga fillimi. Ashtu si romani “Shitësit e Apokalipsit”, i cili e kishte fillesën te një imazh: Një njeri që thyen tabunë i pari, edhe në këtë rast, romani ka pasur një imazh paraprirës: Një poet përballë qytetit të vet. Ky imazh, si ai para tij, nuk ka një datë të saktë: për shumë vite ka hyrë e ka dalë lirisht nga kujtesa ime. Energjia dhe forca e tij kanë qenë vetëvepruese, pasi herë-herë doja ta largoja, që të mos vinte kur të donte, sepse më pengonte për punë të tjera, herë-herë doja ta merrja në konsideratë dhe ta analizoja. Me kohë, shihja se njeriu i imazhit filloi të merrte trajtë dhe të individualizohej: nuk pranonte të rrinte dokudo, por vetëm përballë një qyteti dhe një kohe që i njihja. Ky qytet ishte Shkodra, ndërsa koha qe ajo që e quajmë demokratike. Njeriu pa fytyrë qe gjithnjë e më i aftë që ta pushtonte përfytyrimin tim, derisa filloi të bëhej e qartë se duhej të bëja diçka për të, duhej të bëja të dallueshëm shqetësimin dhe preokupimin e tij njerëzor. Kur erdhi dita që kisha më shumë kohë për t’i kushtuar, gjërat u bënë më të qarta: atëherë ndesha në faktin se edhe vetëdija e njeriut të imazhit ishte e copëtuar dhe fragmentare – shkëputur nga bota me qenësi të besuara dikur dhe të marra për të vërteta – një parodi në vetvete që, për një autor, nëse i takon atij lloj formimi, nxit parodinë si formë letrare. Edhe në librin e sipërpërmendur isha përballur me të njëjtin fakt, por ky rast paraqitej shumë më i vështirë për t’u mishëruar dhe për të marrë formën e vet. Se cilën formë po merrte, kur dihet se lexuesi e ka përfytyrimin e tij për këtë gjini letrare, duhej ta tregonte puna në vazhdim, përderisa ky tekst nuk e pranonte braktisjen.
Përmendët fjalën parodi. A duhet parë ky libër si një parodi?
Teorikisht, nga historia dimë se, si formë letrare, parodia merr pjesë në zhvillimin dinamik të letërsisë kur një traditë prek fundin e vet, kur kësaj tradite i shterojnë formulat dhe skemat shterpe. Sintezat e fituara shfaqen për të përtërirë forma të reja, sepse, ndryshe nga satira, e cila është thellësisht sociale në qëllimësinë e saj, parodia është pastërtisht formale: që në origjinën e tij, akti parodik është shmangia nga një normë letrare, duke e mbajtur përbrenda, në plan të dytë, këtë normë. Në këtë mënyrë u bë modeli i romanit që njohim sot e kësaj dite një libër si “Don Kishoti” i Servantesit, i cili, pasi e theksonte vetë autori, ngrihej mbi sfidën ndaj romaneve të atëhershme kalorësiake. Për ndokënd duket paradoksal shembulli i mësipërm, por kjo na kujton se, siç pohohet shpesh, më tepër se një periudhë historike, postmodernizmi është një metodë.
Kjo metodë, apo formë e mishërimit të tekstit – shkrimi që sjell, në mënyrë të pandërgjegjshme apo jo, tekste apo burime tekstesh të tjera në tekstin e planit të parë – e quajtur sot intertekstualitet, jep pranëvëniet, ndërfutjet dhe mbivendosjet, të cilat, sipas Julia Kristevas (që futi termin intertekstualitet) e krijojnë referimin me termat e dy akseve: Aksi horizontal që lidh autorin dhe lexuesin e një teksti; Aksi vertikal që lidh tekstin me tekstin. Duke vazhduar me këtë logjikë, vërehet se njësimi i dy akseve nxjerr se çdo tekst dhe çdo lexim varet nga kodet e mëposhtme: Duke e parë si strukturë, ai lejon futjen e një bote tjetër (e disa botëve të tjera) në botën tonë, duke i dhënë hapësirës mundësi paradoksale, ku janë pranëvënë elementet më kontradiktore. Duke e parë si kohë, ai i jep mundësi që periudha të ndryshme të futen brenda njëra-tjetrës në të tashmen e thjeshtë. Në këtë mënyrë, krejt pandërgjegjshëm, historia dhe fiksioni ndryshojnë vendet: historia bëhet fiksionale dhe fiksioni bëhet historia e vërtetë. Me një lëvizje si kjo humbet bota reale (Postmodernizmi do të shtonte pyetjen: në raport me çfarë?!), por është e mundshme të fitohet një tekst i cili në kohën tonë karakterizohet nga forca përmbysëse ndaj klasifikimeve të vjetra: në krahasim me lëndën e planit të dytë (e cila është në kujtesën dhe edukimin e lexuesit), lënda e planit të parë (histori apokrife, të cilat e shohin përmbajtjen e kujtimit historik duke e riinterpretuar dhe, përgjithësisht, duke e demistifikuar versionin e parë ortodoks) të mëtojë të ngrihet si një seriozitet i ri, si një autenticitet i ri, të cilët zëvendësojnë seriozitetin dhe autenticitetin e prerë mimetik (imitues), ose atë që sot e quajnë edhe niveli zero i shkrimit.
Kjo parodi ka të bëjë me realizmin socialist?
Bashkë me Roland Bartin, estetin e mirënjohur francez, do të thoshim: gjuha nuk është ngarkuar të shprehë kohën. Roli i saj është të shpjerë realitetin në një pikë dhe, nga shumësia e kohëve të jetuara dhe të mbishtresuara, të abstragojë një akt verbal të pastër, të liruara nga rrënjët ekzistenciale të përvojës dhe të orientuara drejt një lidhjeje logjike me veprime të tjera, me procese të tjera, me një lëvizje të përgjithshme të botës. Pra, ajo synon të mbajë një hierarki graduale në perandorinë e të dhënave. Gjatë këtij procesi, me paaftësinë e afirmimit të ekzistencës së një shembulli narrativ (gjithë ato prerje dhe fshirje), autorit postmodern i mbetet të ringjallë ironinë romantike ose, siç përdoret më shumë sot, metafiksionin. Ky mjet, i përdorur herë pas here, atij shërben për t’i thënë lexuesit: Je në një fiksion. Gjithë kjo është vetëm një kundërvënie ndaj doktrinës së realizmit socialist.
Po autori?
Në dukje, akti parodik është një akt sinteze (përzien dy botët që trajton), por funksioni dhe strategjia e tij janë ndarje apo kontrast, procedurë që ngre problemin e (jo)fundeve: ndryshe nga tekstet para-moderniste, që paraqesin një fund të mbyllur, ndryshe nga tekstet moderniste, që paraqesin një fund të hapur – tekstet postmoderne paraqesin funde të shumëfishta ose rrethore. Këtë kërkon ta shpjegojë dallimi thelbësor mes artit modernist dhe atij postmodernist, që është ndryshimi i Dominantes – çfarë është sfond te njëri, bëhet i dorës së parë te tjetri dhe anasjelltas. Sipas këtij argumenti, një teoricien i postmodernizmit (McHale), do të na thoshte: Dominantja moderniste, që është epistemologjike (teoria e njohjes), ngre pyetjet:
Si mund ta interpretoj këtë botë ku bëj pjesë? Çfarë jam unë në të? Çfarë njihet? Kush e zotëron këtë njohje? Si njohim dhe cili është niveli i sigurisë? Si transmetohet njohja dhe cili është niveli i seriozitetit të sigurisë? Si mund të ndryshojë niveli i njohjes nga një njohës te tjetri? (Si element teknik dominant modernizmi ka monologun e brendshëm.) Dominantja postmoderniste, që është ontologjike (shkenca e qenies), ngre pyetjet: Çfarë është bota? Çfarë bëj në të? Çfarë lloj botësh gjenden, si ndërtohen dhe si ndryshojnë? Çfarë ndodh kur lloje të ndryshme botësh vendosen në konfrontim mes tyre? Cila është mënyra e ekzistencës së një teksti dhe cila është mënyra e ekzistencës së një bote që ndërtohet? Si është strukturuar një botë e projektuar? Si element teknik dominant, proza postmoderne, me peshën e strukturave polifonike dhe konturimit në rrugë të ndryshme të dialogut, ka dimensionin ontologjik të konfrontimit midis diskurseve. Sa për hapësirën përtej librit, autori postmodern, i cili gjithnjë e më shumë del në periferi të gjërave, vetëm se përpiqet të shpjegojë pse e si ka shkruar dhe nuk duhen pritur interpretime prej tij. Ai nuk mund të thotë se si ta lexojnë, por, siç u përpoqëm të bëjmë më lart, mund të përmendë problemet që i ka shtruar vetes për të arritur një efekt artistik.
Cilat kanë qenë shqetësimet tuaja për formën, sepse kemi të bëjmë me një element që bie në sy menjëherë?
Rreth 2500 vjet më parë, Platoni nuk e pranoi Simulakrumin – kopjen që i ikën modelit fillestar – prandaj i dëboi poetët nga Republika e vet, përveç rastit kur ata i thurin lavde shtetit. Shkrimtari i sotëm (shqiptar) e pranon Simulakrumin, për t’i ikur këtij raporti me shtetin, përveç të tjerash, edhe se socrealizmi është një kujtesë e hidhur, por sheh se epoka që jetojmë ka nxjerrë në plan të parë pikërisht politikën dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për të siguruar mbështetjen e kapitalit të madh, me anë të të cilit fitohet mbështetja e elektoratit. Shkrimtari i sotëm pranon se me këtë shndërrim të madh në politikë, është shtuar komunikimi, por edhe se çështjet kyçe nuk kanë marrë përgjigje, pasi, ndryshe nga koha kur dëgjohej zëri i një Volteri a Tolstoi, Sartri a Kamyje, me mungesën e ideologjive, të cilat ushqeheshin nga pakënaqësia dhe revolta, mungojnë edhe rrethanat që të grumbullohen shumë njerëz rreth një ideje të veçantë. Informimi i sotëm na thotë se pakënaqësia dhe revolta e njeriut të epokës marrin formën e vandalizmit, kriminalitetit dhe pakënaqësisë së fshehur, mirëpo kjo mënyrë, me të dalë në pah, konsumohet shumë shpejt, pasi logjika e mediave është që askush të mos jetë gjithnjë i pranishëm.
Sot ka vetëm treg dhe konsum: askush nuk e di, nuk e përfytyron të ardhmen, e nga kjo, edhe për shkrimtarin, gjejnë arsye të lulëzojnë teoritë e postmodernes. Pas Mesjetës, që karakterizohej nga mendimi se Zoti është masa e gjithçkaje, pas Rilindjes, Iluminizmit dhe gjithë kohës moderne, që u kthye nga mendimi se njeriu është masa e gjithçkaje, epoka postmoderne karakterizohet nga një vetëdije e copëtuar dhe fragmentare, prandaj ndryshe nga dy epokat e tjera, të cilat e kanë njësuar ligjërimin, kjo e fundit, nga kjo pikëpamje, është pasqyrim i vetëdijes së lartpërmendur – pra, e copëtuar dhe fragmentare. Si rrjedhim (nuk është rasti për të përcaktuar nëse kjo ndodh për mirë apo për keq), ligjërimi i sotëm karakterizohet nga copëtimi dhe fragmenti. Ky libër ka dalë nga kjo pikëpamje.
A ka një të ngjashëm në jetën reale personazhi juaj poet? A jeni ndier i frymëzuar nga dikush, nga një figurë reale?
Mbase është trupëzuar diçka më shumë, se ka një homazh për të gjithë poetët e llojit, por mund të them me plot gojën se atë e ka frymëzuar një poet si Frederik Rreshpja. Kam qenë pranë tij për disa vite.
Në libër shkruani se poetët i marrin lavdet pas vdekjes… ?
Tani nuk po më kujtohet se ku thuhet kjo dhe në cilin kontekst, por besoj se biem dakord që pas vdekjes, Rreshpja është kthyer në legjendë. E duan dhe e lexojnë shumë. Dalëngadalë ai po bën vend si një nga fenomenet më të veçanta poetike të kësaj periudhe, por edhe i letërsisë shqipe në veçanti. Gjykoj se roli i tij si poet është më i madh sesa mendohet hë për hë. Kjo mbetet për t’u zbuluar e për t’u pranuar.
A është ky roman një homazh për rikthimin e vëmendjes te poezia?
A duhet ta lëmë kohën tonë të zbuluar para ligjërimit të politikanëve? Nuk e di se sa njerëz mendojnë si unë, por gjykoj se kjo do të kishte pasoja të rënda për një gjuhë.
Ju vetë shkruani poezi. Sa poet ndiheni kur shkruani prozë?

Frederiku kishte një postulat që e përmendte shpesh, i cili tingëllonte pak a shumë kështu: një poet di të bëjë prozën, një prozator di të bëjë gazetarinë. Duket shumë e thjeshtëzuar, por në thelb ka një të vërtetë që do të hante një trajtim të veçantë. Mandej, nuk ka një qasje të vetme ndaj prozës: ndryshon aq shumë qasja ime ndaj prozës së librit për të cilin po flasim, dhe asaj që përbën romanin para këtij: “Shitësit e Apokalipsit”. Mirëpo, pa dyshim, të dyja kanë në vetvete dimensione poetike, edhe pse duken kaq të largëta. Në të dyja rastet kam provuar të njëjtat kënaqësi e vuajtje të krijimit. (Shqip)