Friday, December 14, 2012

Faik Konitza CA KUJTIME MBI AT GJECHOVIN.



(Màrrë fjalë per fjalë prej fletores "Dielli" 18 Marc 1930, nr. 5156, fq. 2. 
E perdorem ket artikull me të cillin Ekscelenca e Tij Ministri i Shqypnís në Washington Z. Faik Konitza na e paraqet aq gjáll Françeskanin Shqyptár A. Shtjefnin Gjeçov e me nji stil aq të rrjedhshem, sa tuj na u dukë ky artikull si nji kunorë e çmueshme letratyre, qi Z. Konitza desht të vête mbî bûca të njoma të vorrit të të pervajtueshmit A. Shtjefen, na u duk si detyrë t'a biejshim edhè në ket kryevepren e tij.)           
At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet perpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb'udhë nga Shkodra n'Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej.
Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j' a kushtonte studimit.
Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni. Na tregój një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.
Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin…
Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.
Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.

Njeriu, shëmbëlltyra e njerëzimit




Nga Albert Vataj

Njeriu në labirintin e tij të pikëpyetjeve, të cilave, qaset t’u rrethvijë, me një vullnet dhe përgjegjësi personale, të mikluar nga të qenit i kultivuar, tashmë i lipset të kapërcejë gjithë mëdyshjet, për me përcaktu qartësisht misionin e tij. Njeriu si alternative kryesore ka zgjedhjen midis jetës dhe vdekjes. Njeriu është i lirë të bëjë këtë, por liria e tij është e kufizuar. Ekzistojnë një mori kushtesh që favorizojnë ose jo drejt prirjes për të zgjedhur, konstitucionin psikik, specifika e shoqërisë, në të cilën ai është pjesë dinamike si familja, mësuesit, miqtë, të cilët i takon dhe i zgjedh. Njeriut i lipset të zgjerojë kufijtë e lirisë, të forcojë rrethanat që e favorizojnë jetën dhe të kundërshtojë potencialisht dhe vijimisht gjithë komponentët që tentojnë të normëzojnë mozaikun. Jeta dhe vdekja nuk janë gjendje biologjike, por të qenies, të qëndrimit ndaj botës. Jetë në një farë mënyre do të thotë ndryshim i pandërprerë, rilindje dhe reinkarnim, me brendinë e tij, të tërë amfiteatrit që e rrethqarkon. Përkundër asaj që vdekja merr përsipër të jetë, predispozitë e frenimit të rritjes, ngurosje. Ajo që cilësohet si fatkeqësi është ajo masë e madhe e njerëzve, të cilët shmangin zgjedhjen. Jeta për ta është një barrë, ndërmarrje pa asnjë kuptim, kurse aktiviteti produktiv transformohet në mjet vetëmbrojtjeje dhe vegjetimi cfilitës në mbrojtje të hijeve.
Gjithsesi as jeta, as historia nuk rrokin një kuptim të epërm, i cili do të mund të jepte jetës së individit kuptim dhe do ta konsideronte të justifikuar vuajtjen. Duke patur parasysh kundërshtitë dhe dobësitë që mbushin ekzistencën, është tërësisht e motivuar që njeriu të ngulmojë drejt “absolutes”, i cili i jep atij iluzionin e besimit, duke e çliruar nga konfliktet, dyshimet dhe përgjegjësia e fajit. Vetëm njeriu është i armatosur me një armë të tillë të panjëtëdytë, të kërkojë dhe të mundësojë ngulazi qëllimin e naltë të jetës.
Por misioni ynë nuk mund të kuptohet i ngërthyer dhe mbi gjithçka në korrnizën e vetvetes. Ai nuk e konsideron jetën si mision.
E vetmja gjë që mund të bëjë njeriu për të tjerët është tu tregojë alternativat me vërtetësi pa sentimentalizma dhe iluzione. Duke e vënë njeriun ballë për ballë me realitetin, me alternativat dhe të vërtetat, në gjithçka dhe për gjithçka, që percepton uni i tij i egos intelektuale, mund të zgjojë të gjitha energjitë, dhe ta stimulojë atë të zgjidh jetën si kundërpeshë të vdekjes. Zgjedhjet në favor të së mirës kalojnë nëpër dy rrugë. E para është t’i nënshtrohesh kërkesave morale. Ky kah i rrugëtimit mund të jetë efikas, por nuk duhet injorojmë faktin se gjatë mijëvjeçarëve, mjerisht vetëm një minorancë ka plotësuar urdhëresat e Dhjetë Porosive. Dominues mbeten ata që kanë rënë pre e peshës së mëkatit.
Rrugë tjetër është ngjallja e shijeve për mirëqenie dhe të përsosësh ndijimet e saj duke vepruar mirë dhe drejtë.
Mbi njeriun mund të ndikojë vetëm ideja e mishërimit, kurse ideja që ka mbetur verbale, ndryshon vetëm fjalët. Aftësitë e njeriut për tu vetëpërsosur janë vetë vitaliteti i ekzistencës së tij. Aftësia për tu mirëkenun, do të thotë se njeriu mund të arrijë qëllimin e tij. Po qe se individi nuk zgjedh në favor të jetës, po qe se nuk rritet, ai do të kthehet pashmangshmërisht në shkatërrues, në një kufomë të gjallë. Mëkatshmëria dhe humbja e egos janë aq reale, sa dhe virtyti dhe vitaliteti. Ata për individin janë dytësore, po qe se zgjedhja e tij konsiston në faktin që të mos realizojë mundësitë parësore. From, beson se vetëm në raste të jashtëzakonshme njeriu lind ose shenjt, ose kriminel. Shumica jonë është e privuar edhe për të mirën dhe të kundërtën e saj, ndonëse influenca përkatëse e këtyre prirjeve në njerëz të ndryshëm është e natyrshme. Prandaj fati ynë në një masë të konsiderueshme përcaktohet nga ato influenca, të cilat formojnë prirjet në fjalë. Influencën më të fuqishme e ushtron familja.
Familja është agjent i shoqërisë, rrip transmisioni për ato vlera dhe norma, të cilat shoqëria kërkon tua rrënjos pjesëtarëve të saj. Ndaj faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e individit janë strukturat dhe vlerat e shoqërisë, pjesë e së cilës ai është. Vetëm në bashkëpunim me njerëz të tjerë në procesin e punës, njeriu i zhvilloi forcat e veta, në procesin historik ajo krijoi vetveten.
Në të njëjtën kohë një pjesë e madhe e sistemit shoqëror deri më tash u ka shërbyer interesave të pakicës, dhe këtë e ka bërë të mundur duke shfrytëzuar shumicën për interesat e saja. Ndaj pakica e ka shfrytëzuar pushtetin për të diskriminuar shumicën dhe për ta frikësuar (tërthorazi dhe veten) në këtë mënyrë duke u bërë dhe pengues i zhvillimit të aftësive të saja. Për këta arsye shoqëria asnjëherë nuk ka qenë në harmoni me humanizmin, me normat e përgjithshme, të vlefshme këto për çdo njeri.
Vetëm kur qëllimet e shoqërisë të përputhen me qëllimet e njerëzimit, shoqëria do të heq dorë nga gjymtimi i njeriut dhe nga favorizimi i të keqes. From, nënvizon idenë se çdo njeri përfaqëson të gjithë njerëzimin.





Qiejt thyejnë krahët e zogjve




Agim pluskues
Plot ylber gusha e pulëbardhave.
Andje e nur bubrron në shtratin e lumnisë
Ky dekor
Agu njom me vesë kashoren e drites
Pa pra teposhtet nje hingellime e amël
N’shelgjishte
Ku hana ka shkun penelin.

Trinitia e përjetimit
Në okrën e grunajës
Shakullohet turri i hireve adh
Ku tharmet nji diell majahosh
Tej shkumezimit kundues
Ditën shoh tek shkrehet në orgjinë e shirave
Zemëratës së reve
Dufet qi sa vijnë e struken në zgavrat e horizontit

Tinguj të ngathët kambane
Zdirgjen nga lindja
Tinguj të ngathët kambane
Në buzë hetoj konturet e nji lutjeje
Dremitem në krahnorin ku hepohet melankolia
Në mish vjel frutin e mëkatit
Me këttë gulc të rand  zvarrem
Në gjuhën e hapsinës za të mufatun tundon
S’ka paqe ndër ne
Se s’ka prehje për  tërbimin ton

Vjel pasionet e spazmit
Përqafet me tansinë e gjithmonshmja
Në gallop më zhbahet cikama e ikjes
Kundërmimet e trubullta grryejnë
Turitjen  mejtuese të kësaj batërdie
Në honet e shpirtit mruj zehrin
Qi tërkuzet jargzimeve
E fshikullon epjen teme të unshme

Dhimbje që zgjohet
Rrëmoj në poret e fëminisë puthjen e nanës
E kokrron amëlcinë rrezitja brymëse
Në cergën e moshës e hojme kërcitja
E gjej tek lëpin shtatoren teme kërkëlluese.

Pamje të vlefshme për nostalgjikët e komunizmit në Korenë e Veriut



Koreja e Veriut zhvilloi një manifestim masiv në kryeqytetin Piongiang për të festuar lëshimin e suksesshëm të raketës së parë me rreze të gjatë veprimi. Televizioni shtetëror paraqiti turma të stërmëdha duke festuar dhe brohoritur lëshimin e raketës, akt që është kritikuar nga shumë vende të tjera. Ndërkohë, Koreja e Jugut deklaroi se marina e saj ka kapur copa nga raketa e do t’i analizojë ato. Kjo është hera e parë që Koreja e Veriut përdor me sukses një raketë me tre faza për të hedhur një satelit në orbitë. Shteti komunist tha se do të kryejë edhe shumë lëshime të tjera. Analistët thonë se lëshimi me sukses do të konsolidojë pushtetin për udhëheqësin e ri, Kim Jong-un, i treti i një dinastie familjare që e ka sunduar vendin nga vitet ’50. Shumë shtete të tjera, si SHBA, Koreja e Jugut e Japonia, besojnë se Koreja e Veriut po punon për të zhvilluar raketa me rreze të gjatë veprimi të afta për të mbajtur bomba atomike. Udhëheqësi i ri u shfaq në pamjet e televizionit shtetëror duke pirë cigare në dhomën e kontrollit të lëshimit të raketës. Ai mbajti një fjalim ku tha se sateliti i hedhur në hapësirë do të ndihmojë ekonominë e vendit të tij.