Nga Albert Vataj
Njeriu në labirintin e tij të pikëpyetjeve, të cilave, qaset
t’u rrethvijë, me një vullnet dhe përgjegjësi personale, të mikluar nga të
qenit i kultivuar, tashmë i lipset të kapërcejë gjithë mëdyshjet, për me përcaktu
qartësisht misionin e tij. Njeriu si alternative kryesore ka zgjedhjen midis
jetës dhe vdekjes. Njeriu është i lirë të bëjë këtë, por liria e tij është e
kufizuar. Ekzistojnë një mori kushtesh që favorizojnë ose jo drejt prirjes për
të zgjedhur, konstitucionin psikik, specifika e shoqërisë, në të cilën ai është
pjesë dinamike si familja, mësuesit, miqtë, të cilët i takon dhe i zgjedh.
Njeriut i lipset të zgjerojë kufijtë e lirisë, të forcojë rrethanat që e
favorizojnë jetën dhe të kundërshtojë potencialisht dhe vijimisht gjithë
komponentët që tentojnë të normëzojnë mozaikun. Jeta dhe vdekja nuk janë
gjendje biologjike, por të qenies, të qëndrimit ndaj botës. Jetë në një farë
mënyre do të thotë ndryshim i pandërprerë, rilindje dhe reinkarnim, me brendinë
e tij, të tërë amfiteatrit që e rrethqarkon. Përkundër asaj që vdekja merr përsipër
të jetë, predispozitë e frenimit të rritjes, ngurosje. Ajo që cilësohet si
fatkeqësi është ajo masë e madhe e njerëzve, të cilët shmangin zgjedhjen. Jeta
për ta është një barrë, ndërmarrje pa asnjë kuptim, kurse aktiviteti produktiv
transformohet në mjet vetëmbrojtjeje dhe vegjetimi cfilitës në mbrojtje të
hijeve.
Gjithsesi as jeta, as historia nuk rrokin një kuptim të
epërm, i cili do të mund të jepte jetës së individit kuptim dhe do ta
konsideronte të justifikuar vuajtjen. Duke patur parasysh kundërshtitë dhe dobësitë
që mbushin ekzistencën, është tërësisht e motivuar që njeriu të ngulmojë drejt
“absolutes”, i cili i jep atij iluzionin e besimit, duke e çliruar nga
konfliktet, dyshimet dhe përgjegjësia e fajit. Vetëm njeriu është i armatosur
me një armë të tillë të panjëtëdytë, të kërkojë dhe të mundësojë ngulazi
qëllimin e naltë të jetës.
Por misioni ynë nuk mund të kuptohet i ngërthyer dhe mbi
gjithçka në korrnizën e vetvetes. Ai nuk e konsideron jetën si mision.
E vetmja gjë që mund të bëjë njeriu për të tjerët është tu
tregojë alternativat me vërtetësi pa sentimentalizma dhe iluzione. Duke e vënë
njeriun ballë për ballë me realitetin, me alternativat dhe të vërtetat, në
gjithçka dhe për gjithçka, që percepton uni i tij i egos intelektuale, mund të
zgjojë të gjitha energjitë, dhe ta stimulojë atë të zgjidh jetën si kundërpeshë
të vdekjes. Zgjedhjet në favor të së mirës kalojnë nëpër dy rrugë. E para është
t’i nënshtrohesh kërkesave morale. Ky kah i rrugëtimit mund të jetë efikas, por
nuk duhet injorojmë faktin se gjatë mijëvjeçarëve, mjerisht vetëm një minorancë
ka plotësuar urdhëresat e Dhjetë Porosive. Dominues mbeten ata që kanë rënë pre
e peshës së mëkatit.
Rrugë tjetër është ngjallja e shijeve për mirëqenie dhe të përsosësh
ndijimet e saj duke vepruar mirë dhe drejtë.
Mbi njeriun mund të ndikojë vetëm ideja e mishërimit, kurse
ideja që ka mbetur verbale, ndryshon vetëm fjalët. Aftësitë e njeriut për tu
vetëpërsosur janë vetë vitaliteti i ekzistencës së tij. Aftësia për tu mirëkenun,
do të thotë se njeriu mund të arrijë qëllimin e tij. Po qe se individi nuk
zgjedh në favor të jetës, po qe se nuk rritet, ai do të kthehet
pashmangshmërisht në shkatërrues, në një kufomë të gjallë. Mëkatshmëria dhe
humbja e egos janë aq reale, sa dhe virtyti dhe vitaliteti. Ata për individin
janë dytësore, po qe se zgjedhja e tij konsiston në faktin që të mos realizojë
mundësitë parësore. From, beson se vetëm në raste të jashtëzakonshme njeriu
lind ose shenjt, ose kriminel. Shumica jonë është e privuar edhe për të mirën
dhe të kundërtën e saj, ndonëse influenca përkatëse e këtyre prirjeve në njerëz
të ndryshëm është e natyrshme. Prandaj fati ynë në një masë të konsiderueshme
përcaktohet nga ato influenca, të cilat formojnë prirjet në fjalë. Influencën më
të fuqishme e ushtron familja.
Familja është agjent i shoqërisë, rrip transmisioni për ato
vlera dhe norma, të cilat shoqëria kërkon tua rrënjos pjesëtarëve të saj. Ndaj
faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e individit janë strukturat dhe vlerat
e shoqërisë, pjesë e së cilës ai është. Vetëm në bashkëpunim me njerëz të tjerë
në procesin e punës, njeriu i zhvilloi forcat e veta, në procesin historik ajo
krijoi vetveten.
Në të njëjtën kohë një pjesë e madhe e sistemit shoqëror
deri më tash u ka shërbyer interesave të pakicës, dhe këtë e ka bërë të mundur
duke shfrytëzuar shumicën për interesat e saja. Ndaj pakica e ka shfrytëzuar
pushtetin për të diskriminuar shumicën dhe për ta frikësuar (tërthorazi dhe
veten) në këtë mënyrë duke u bërë dhe pengues i zhvillimit të aftësive të saja.
Për këta arsye shoqëria asnjëherë nuk ka qenë në harmoni me humanizmin, me
normat e përgjithshme, të vlefshme këto për çdo njeri.
Vetëm kur qëllimet e shoqërisë të përputhen me qëllimet e njerëzimit,
shoqëria do të heq dorë nga gjymtimi i njeriut dhe nga favorizimi i të keqes.
From, nënvizon idenë se çdo njeri përfaqëson të gjithë njerëzimin.
No comments:
Post a Comment